Autoritetet franceze kanë shpëtuar më shumë se 6 mijë emigrantë gjatë vitit 2025, të cilët tentonin të arrinin në Britaninë e Madhe përmes Kanalit të La Manshit me varka të vogla. Sipas raportit vjetor të prefekturës detare franceze, të paktën 25 persona kanë humbur jetën gjatë këtyre përpjekjeve, ndërsa dy të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Franca vijon të mbetet një nga pikat kryesore të nisjes për emigrantët që kërkojnë të kalojnë në Britani, pavarësisht rreziqeve të mëdha që paraqet ky udhëtim. Raporti thekson se tentativat për kalim nuk janë ngadalësuar, edhe pse mjetet e përdorura janë gjithnjë e më të pasigurta dhe të mbingarkuara.
Gjatë vitit 2025, rreth 50 mijë persona në afro 800 varka kanë tentuar kalimin drejt Britanisë. Autoritetet franceze kanë arritur të shpëtojnë 6 mijë e 177 persona, ndërsa numri total i viktimave vlerësohet të jetë të paktën 29, sipas përllogaritjeve të bazuara në burime zyrtare franceze dhe britanike.
Raporti paralajmëron për rritjen e rrezikut nga rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore. Numri i personave për çdo varkë është rritur ndjeshëm, nga mesatarisht 26 persona në vitin 2021 në rreth 63 persona në vitin 2025. Disa varka kanë transportuar edhe mbi 100 persona secila.
Autoritetet kanë konstatuar gjithashtu përdorimin e metodës së ashtuquajtur “varka-taksi”, ku mjetet nisen pothuajse bosh nga bregu dhe më pas marrin emigrantë të shumtë që futen në ujë për t’u ngjitur në bord.
Nga ana tjetër, autoritetet britanike kanë regjistruar mbi 41 mijë mbërritje me varka të vogla gjatë vitit 2025, shifra e dytë më e lartë ndonjëherë, duke treguar se presioni emigrator mbetet i lartë pavarësisht masave të ndërmarra.
