Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me mazhorancën në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale, duke e cilësuar mbrojtjen politike ndaj Belinda Ballukut si pengesën kryesore për dialogun.
Në konferencën për mediat, Berisha deklaroi se mazhoranca po mbron, sipas tij, vjedhje me vlera miliardëshe dhe se kjo e bën të pamundur çdo tryezë bashkëpunimi institucional.
“Kur mbrohen vjedhjet e Ramës dhe Ballukut, nuk ka asnjë formë bashkëpunimi të mundshëm. Balluku është historia më e turpshme e këtij vendi, e përdorur si mburojë për të shpëtuar kryeministrin,” u shpreh Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin se pas çdo firme dhe çdo vendimi qëndron një akt grabitjeje ndaj pasurisë publike, duke shtuar se raste të tilla nuk kanë precedent në vende të tjera.
Sipas Berishës, Balluku është përfshirë drejtpërdrejt në afera që lidhen me shpërndarjen e tokave publike dhe pronave shtetërore, duke favorizuar familjarë dhe interesa të lidhura me pushtetin.
“Në çdo vendim ka vjedhje dhe plaçkitje. Prandaj nuk mund të pranojnë as largimin e saj, sepse rruga të çon drejt drejtësisë. Sovrani do ta vendosë këtë çështje,” deklaroi kreu i PD-së.
Berisha theksoi se opozita nuk do të legjitimojë, sipas tij, një proces politik të ndërtuar mbi korrupsion dhe abuzim me pushtetin, duke e mbyllur derën çdo bashkëpunimi derisa të ketë përgjegjësi reale politike dhe penale.
