Edhe gjatë ditës së sotme, sistemi self-care, platformë thelbësore për bizneset në rakordimin e faturave, ka shfaqur probleme funksionimi. Subjekte të ndryshme kanë raportuar se platforma bie shpesh, duke vështirësuar aksesin dhe shkarkimin e të dhënave.
Sipas disa ekonomistëve, sistemi paraqet probleme veçanërisht kur përdoret përmes shfletuesit Mozilla Firefox, ndërsa në Google Chrome funksionon më mirë, por jo pa ndërprerje.
Pasditen e djeshme, Administrata Tatimore njoftoi se problematika e konstatuar ditët e fundit në Platformën Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara ishte zgjidhur dhe se sistemi funksiononte normalisht që prej datës 28 janar. Ky njoftim erdhi pas rreth tre javësh bllokim total të platformës, ndërkohë që probleme të ngjashme ishin shfaqur edhe gjatë muajit dhjetor.
Megjithatë, edhe pas këtij njoftimi zyrtar, shumë biznese vijojnë të raportojnë vështirësi serioze. Sipas tyre, shkarkimi i faturave është pothuajse i pamundur dhe tentativat për akses zgjasin me orë të tëra.
“Nxitimi për të mohuar problemet e pazgjidhura vetëm sa thellon mosbesimin ndaj infrastrukturës kritike dhe aftësisë së shtetit për të garantuar shërbime funksionale, pavarësisht shpenzimeve të larta buxhetore”, shprehet një përfaqësues biznesi.
Një tjetër shqetësim i madh lidhet me afatin për dorëzimin e inventarëve. Administrata Tatimore u ka kërkuar bizneseve që të depozitojnë inventarët deri në fund të këtij muaji. Shumë subjekte ankohen se, për shkak të problemeve me self-care, nuk kanë pasur mundësi të kryejnë rakordimet e nevojshme të faturave, duke e bërë afatin tepër të vështirë për t’u respektuar.
Ndërsa disa biznese argumentojnë se inventari mund të plotësohet edhe përmes sistemit e-filing, shumë të tjera shprehen të shqetësuara se mund të përfshihen padrejtësisht në kontrolle tatimore dhe të ndëshkohen me gjoba për probleme që nuk kanë qenë në kontrollin e tyre.
