Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe EUROPOL-it po forcohet mbi baza besueshmërie dhe profesionalizmi, në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, priti në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit një delegacion të Qendrës për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në EUROPOL, të kryesuar nga Jean Yves Goriou, Drejtues i Njësisë kundër Krimit të Organizuar, si dhe Roberto Garbini, zëvendësdrejtues i Ekipit për Organizatat Kriminale me Rrezikshmëri të Lartë.
Gjatë takimit u diskutua forcimi i bashkëpunimit operacional dhe strategjik mes palëve, me fokus në hetimet proaktive të bazuara në inteligjencë, shkëmbimin e informacionit, si dhe goditjen e organizatave kriminale me shtrirje ndërkombëtare.
Prioritetet e përbashkëta përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike, trafikimit të qenieve njerëzore, emigracionit të paligjshëm, krimit mjedisor, si dhe përfshirjen aktive të Policisë shqiptare në planet operacionale të EMPACT 2026–2027.
Gjithashtu u trajtua koordinimi i hetimeve paralele, zhvillimi i hetimeve pasurore dhe mbështetja teknike e EUROPOL-it për procedimet konkrete në zhvillim.
Në përfundim, Drejtuesi i Lartë Neritan Nallbati, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, garantoi se Policia shqiptare do të vijojë të angazhohet maksimalisht në bashkëpunimet rajonale dhe evropiane, duke vënë në dispozicion kapacitetet dhe ekspertizën e saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
