Pas problemeve me Self-Care, Tatimet u kërkojnë bizneseve dorëzimin e inventarëve deri më 31 janar

Data

Administrata Tatimore u ka kërkuar bizneseve që të depozitojnë inventarët analitikë deri në fund të këtij muaji, pavarësisht problematikave të vazhdueshme me sistemin Self-Care.

Në njoftimin drejtuar subjekteve, Tatimet sqarojnë se, bazuar në ligjin “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, bizneset duhet të dorëzojnë inventarin analitik të datës 31.12.2025. Inventari duhet të përfshijë të dhëna të detajuara për lëndën e parë, produktet e gatshme dhe mallrat për rishitje, të specifikuara sipas njësisë, sasisë, çmimit dhe vlerës.

Ky informacion duhet të ngarkohet elektronikisht në sistemin e tatimeve e-Filing, në rubrikën “Çështjet e mia”, brenda datës 31 janar 2026, me emërtimin “Inventari 31.12.2025”.

Administrata Tatimore paralajmëron se, bazuar në analizën e riskut – duke marrë në konsideratë mosdorëzimin në afat, pasaktësitë apo mospërputhjet me të dhënat e fiskalizimit – tatimpaguesit mund të konsiderohen me risk dhe të bëhen objekt verifikimi në vend për saktësinë e inventarit.

Ndërkohë, një pjesë e bizneseve shprehen se afati është tepër i shtrënguar, duke pasur parasysh se sistemi Self-Care ka qenë jashtë funksioni për rreth tre javë, çka ka penguar rakordimin e faturave. Të tjerë theksojnë se mosfunksionimi i Self-Care nuk ndikon drejtpërdrejt në përgatitjen e inventarëve, pasi të dhënat mund të merren nga sistemi e-Filing.

Problemet me Self-Care kanë ndikuar gjithashtu edhe në përgatitjen e pasqyrave financiare për vitin 2025. Kontabilistë dhe shoqata profesionale kanë kërkuar plan emergjence dhe shtyrje të afateve, duke argumentuar se pa rakordime të sakta mes softuerëve dhe serverit tatimor, hartimi i pasqyrave financiare rrezikon të mbetet i pasaktë dhe në kundërshtim me parimin e vërtetësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related