Pas goditjes së grupit të biznesmenit Ermal Beqiri nga SPAK, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka rikthyer në lojë kompaninë Advanced Business Solutions, në pronësi të Gerond Meçes, duke i dhënë një kontratë rreth 480 mijë euro për mirëmbajtjen e sistemit elektronik të vizitave dhe hyrje-daljeve në burgjet e vendit.
Kontrata, me fond limit rreth 590 mijë euro, u fitua nga kompania e Meçes mes pesë ofertave konkurruese. Advanced Business Solutions kishte qenë e përjashtuar nga tenderët e AKSHI-t për gati dy vite, pavarësisht se konkurronte rregullisht, duke u skualifikuar vazhdimisht.
Rikthimi i saj vjen në një moment delikat, ndërsa një tjetër kompani pjesëmarrëse në garë, Communication Progress, përmendet nga SPAK për lidhje me rrethin e biznesmenit Ermal Beqiri. Ky zhvillim ngre pikëpyetje mbi transparencën e procedurave dhe kriteret reale të përzgjedhjes në tenderët publikë të teknologjisë.
Vendimi i AKSHI-t shihet si një tjetër shembull i riciklimit të të njëjtëve operatorë ekonomikë në kontrata publike, pavarësisht skandaleve, hetimeve dhe bllokimeve të mëparshme që kanë rënduar mbi sektorin e sistemeve digjitale shtetërore.
