Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi u kap në posedim të lëndëve narkotike, duke u rikthyer sërish në pranga për vepra që lidhen me drogën. I riu, i cili ndodhej në Itali si emigrant i paligjshëm, rezulton person me precedentë penalë dhe i dënuar më parë për trafik narkotikësh.
Sipas mediave italiane, policia kishte vënë re sjelljen e dyshimtë të shqiptarit, i cili lëvizte i nervozuar dhe në mënyrë të pazakontë. Kjo çoi në ndërhyrjen e forcave të rendit dhe kontrollin e banesës ku ai jetonte.
Gjatë kontrollit në apartament, u gjetën disa doza kokaine të paketuara, dy peshore precize dhe pajisje të tjera që shërbejnë për përgatitjen dhe shpërndarjen e drogës. 30-vjeçari u arrestua menjëherë për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimi.
Hetimet zbuluan gjithashtu se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti përfundimtar nga Prokuroria e Brescias, me një dënim prej 3 vitesh e 5 muajsh burg. Pas arrestimit, ai u transferua në burgun e Kantonit Mombello për të vuajtur dënimin.
Autoritetet italiane kanë firmosur edhe një urdhër dëbimi ndaj tij, i cili do të zbatohet pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.
