Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar ashpër pas shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ku pritej të shqyrtohej kërkesa e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Sipas PD-së, zvarritja e procesit si në Kuvend, ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese, është pjesë e një strategjie të qëllimshme politike për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbrojtur Ballukun nga masat e kërkuara nga SPAK. Demokratët theksojnë se kërkesa për masë sigurie nuk ka lidhje me çështjen e pezullimit nga detyra që po shqyrton Kushtetuesja dhe se përdorimi i këtij justifikimi është i pabazë ligjërisht.
Në deklaratë thuhet se shtyrjet e njëpasnjëshme u shërbejnë interesave të kryeministrit Edi Rama, duke i dhënë kohë për të shmangur veprimin e drejtësisë, si dhe krijojnë hapësirë për prishje provash dhe intimidim dëshmitarësh. PD kërkon që institucionet të mos vonojnë më vendimmarrjen dhe të lejojnë SPAK-un të kryejë pa pengesa detyrën e tij.
