Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i ftuar në një emision televiziv, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe ngërçin institucional lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Korreshi, anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, theksoi se ky organ nuk është gjykatë dhe nuk shqyrton prova, por vlerëson nëse ekzistojnë indicie për vepra penale apo nëse rasti ka natyrë politike.
Sipas tij, kërkesa e SPAK lidhet kryesisht me rrezikun e prishjes së provave dhe intimidimin e dëshmitarëve. Ai deklaroi se hetimi fokusohet aktualisht në çështje që lidhen me Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe, ndërsa elementë të tjerë mund të trajtohen në faza të mëvonshme.
Korreshi shtoi se në Këshillin e Mandateve janë pesë juristë dhe se jo të gjitha materialet hetimore janë bërë ende publike. I pyetur për zëra që qarkullojnë në opinion për materiale komprometuese me natyrë intime, ai mohoi ekzistencën e videove apo fotove të tilla në dosje, duke sqaruar se bëhet fjalë vetëm për elementë të hetimit paraprak.
Lidhur me pretendimet për pasuri të konsiderueshme, përfshirë zërat për posedimin e qindra apartamenteve, Korreshi u shpreh se “ku ka zë, nuk është pa gjë”, por theksoi se Këshilli i Mandateve nuk ka rol hetimor dhe nuk zëvendëson organet e drejtësisë.
Ai nënvizoi se, sipas Kushtetutës, detyra e Këshillit është vetëm të vlerësojë nëse ka indicie për shkelje penale apo nëse procesi është i motivuar politikisht, duke shtuar se, sipas tij, rasti konkret nuk ka natyrë politike.
