Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për shpërthimin tragjik në fabrikën e biskotave “Violanta” në Greqi, ngjarje që i mori jetën pesë punonjësve në orët e para të mëngjesit të së hënës. Sipas autoriteteve greke, shkaku kryesor i shpërthimit ka qenë një rrjedhje e zgjatur e propanit, e cila nuk u konstatua në kohë.
Komandanti i ESKEDIK pranë Shërbimit Zjarrfikës grek, gjeneral brigade Anastasios Michalopoulos, bëri me dije se gjatë hetimit teknik u identifikuan dy depozita propani mbi tokë, me kapacitet 5 mijë dhe 9 mijë litra, të vendosura rreth 30 metra larg zonës ku ndodhi shpërthimi. Nga verifikimet rezultoi se depozita më e vogël ishte përdorur së fundmi, ndërsa furnizimi i furrave të prodhimit realizohej përmes tubacioneve nëntokësore që kalonin nën një sipërfaqe të asfaltuar dhe hynin në katin përdhes të fabrikës.
Gjatë kontrolleve të specializuara me azot, ekipet teknike konstatuan rrjedhje gazi në nëntokë. Pas gërmimeve në një thellësi rreth 60 centimetra, u zbulua një rrjedhje e konsiderueshme propani brenda dheut. Sipas ekspertëve, kjo rrjedhje ka qenë aktive prej muajsh, ndërsa matjet treguan përqendrime shumë të larta gazi.
Sasia e propanit ishte zhvendosur nëntokë në një distancë rreth 25 metrash, duke u grumbulluar në një hapësirë të mbyllur. Në prani të një shkëndije, që dyshohet të jetë shkaktuar nga pajisje elektromekanike të fabrikës, ndodhi shpërthimi i fuqishëm.
Operacioni i emergjencës
Shërbimi Zjarrfikës u njoftua në orën 03:56 të mëngjesit të 26 janarit 2026, ndërsa mjeti i parë mbërriti në vendngjarje pas rreth 15 minutash. Në operacion u angazhuan 13 mjete zjarrfikëse, ekipe të specializuara të EMAK-ut, një njësi me dron, si dhe forca të policisë dhe ambulanca të shërbimit emergjent EKAV. Në total morën pjesë 53 zjarrfikës.
Viktimat dhe hetimi
Në momentin e shpërthimit, fabrika ishte në punë të plotë, pasi operon 24 orë në ditë. Brenda saj ndodheshin 13 punonjës. Tetë persona arritën të dalin nga godina, disa prej të cilëve u transportuan për ndihmë mjekësore. Pesë punonjës humbën jetën gjatë ngjarjes, trupat e të cilëve u gjetën gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit që vijuan deri ditën pasuese.
Menjëherë pas ngjarjes u aktivizua Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Zjarrit, e cila po kryen ekspertiza të detajuara në terren, analiza laboratorike të provave, marrje dëshmish dhe vlerësim teknik të instalimeve.
Arrestime
Në kuadër të hetimeve, më 27 janar 2026 u arrestuan tre shtetas grekë, të dyshuar për veprime dhe mosveprime që lidhen me vrasje nga pakujdesia, plagosje të rëndë trupore, zjarrvënie dhe shpërthim. Ata janë paraqitur para Prokurorisë së Trikalas, ndërsa hetimet penale dhe raporti teknik përfundimtar janë ende në proces.
