Kryetari i opozitës, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim të fortë në Strasburg gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku denoncoi atë që e cilësoi si kapje totale të shtetit shqiptar nga krimi i organizuar dhe pushteti politik.
Berisha u ndal te proceset zgjedhore në Shqipëri, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi legjitimitetin e tyre. Sipas tij, vendi nuk zhvillon zgjedhje të lira, por përballet me një farsë zgjedhore që minon shtetin e së drejtës.
“Zgjedhjet i shërbejnë shtetit ligjor, ndërsa farsa zgjedhore e shkatërron atë”, u shpreh Berisha, duke theksuar se Shqipëria është kthyer në një model të partisë-shtet.
Ai identifikoi dy kërcënime madhore për demokracinë: shtetin-parti dhe narko-shtetin. Sipas Berishës, krimi i organizuar dhe trafiku i drogës janë shndërruar në instrumente për sigurimin e votave, ndërsa votat përdoren më pas për të mbrojtur aktivitetet kriminale.
Berisha deklaroi se dhjetëra deputetë kanë hyrë në Kuvend me mbështetjen e karteleve të drogës dhe se, pas zgjedhjeve, këtyre interesave u janë dhënë qindra leje ndërtimi për resorte, hotele dhe projekte turistike.
Në fjalën e tij, ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama se po pengon drejtësinë në çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke mos lejuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj.
“Prokuroria kërkoi arrestimin e saj, por Rama – Ramaduro i Madh – e bllokoi procesin. Arsyeja është e qartë: emri i tij del në çdo tre rreshta të dosjes”, tha Berisha.
Ai shtoi se e njëjta situatë po përsëritet edhe në sektorin e teknologjisë shtetërore, duke akuzuar Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për rrjedhje të të dhënave drejt grupeve kriminale.
Sipas Berishës, Shqipëria ndodhet përballë një krize të thellë demokratike, ku krimi, korrupsioni dhe pushteti politik funksionojnë si një mekanizëm i vetëm për të mbajtur kontrollin mbi vendin.
