Gazeta e madhe franceze: Krijuesit e “Diellës” së Ramës akuzohen si grup i strukturuar kriminal

Data

Gazeta e madhe franceze Libération i ka kushtuar një shkrim akuzave të rënda ndaj krijuesve të “Diellës”, ministres shqiptare të inteligjencës artificiale, e promovuar nga qeveria si simbol i luftës kundër korrupsionit. Sipas raportimit, ironikisht, vetë personat që ndërtuan këtë sistem akuzohen për korrupsion dhe dyshohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

“Diella”, e prezantuar me veshje tradicionale dhe si fytyra e transparencës shtetërore, sot përshkruhet si viktimë kolaterale e një hetimi penal që rrëzon propagandën e qeverisë shqiptare. Hetimet lidhen me drejtues të institucionit shtetëror që menaxhon infrastrukturën digjitale dhe një sërë shërbimesh publike online.

Prokuroria e Posaçme ka nisur procedime penale ndaj disa zyrtarëve të lartë, përfshirë drejtoreshën dhe zëvendësdrejtorin e agjencisë përgjegjëse për sistemet digjitale të shtetit. Sipas autoriteteve, të dyshuarit lidhen me një grup kriminal të strukturuar që ka manipuluar tendera publikë përmes presionit dhe intimidimit.

Akuzat përfshijnë shkeljen e barazisë në tendera, konkurrencë të pandershme, dhunë ndaj subjekteve konkurruese dhe veprime të tjera të rënda penale. Megjithatë, zyrtarët ende nuk janë shpallur zyrtarisht fajtorë.

E prezantuar si “ministre virtuale e tregjeve publike”, Diella u përdor për të ndihmuar qytetarët në procedurat administrative dhe për të garantuar transparencë në prokurimet shtetërore. Por zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi besueshmërinë e këtij projekti dhe mbi luftën reale kundër korrupsionit.

Shqipëria, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, e ka shpallur luftën ndaj korrupsionit prioritet kombëtar. Megjithatë, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, korrupsioni mbetet ende i përhapur, ndërsa skandali i “Diellës” po shihet si një goditje e rëndë për imazhin e shtetit digjital shqiptar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related