Një gjest simbolik dhe ironik shoqëroi protestën e shoqërisë civile të mbajtur para Kryesisë së Kuvendit. Protestuesit hodhën dhjetëra çelësa në tokë, si shenjë revolte ndaj pamundësisë së qytetarëve për të blerë një shtëpi, ndërkohë që zëvendëskryeministrja Belinda Balluku akuzohet se zotëron qindra apartamente.
Sipas organizatorëve, ky akt përfaqëson realitetin e hidhur të mijëra familjeve shqiptare që nuk arrijnë të përballojnë çmimet e larta të banesave, ndërsa zyrtarë të lartë shtetërorë pasurohen në mënyrë të pashpjegueshme.
Gjatë fjalës së tij, përfaqësuesi i shoqërisë civile Migen Qiraxhi kritikoi ashpër Kuvendin dhe deputetët, duke i akuzuar se po mbrojnë ministra të dyshuar për korrupsion në vend që të mbrojnë interesat e qytetarëve.
“Kjo godinë është vendi ku deputetët duhet të mbrojnë hallet e qytetarëve. Sot prokuroria kërkon heqjen e imunitetit të një ministri të dyshuar për vjedhje, dhe deputetët heshtin ose e mbrojnë. Si mundet të mbrohen hajdutët me votën e qytetarëve?”, u shpreh Qiraxhi.
Ai përmendi me emra disa deputetë, duke theksuar se nuk kanë asnjë të drejtë morale të përdorin mandatin e dhënë nga qytetarët për të mbrojtur zyrtarë të akuzuar për abuzime milionëshe.
“I vetmi vend ku qytetarët nuk blejnë dot shtëpi është Shqipëria. Ndërsa ministrat kanë 300 apartamente. Qytetarët po bëhen mish për top”, deklaroi ai, mes duartrokitjeve dhe thirrjeve të protestuesve.
Protesta vijon me thirrje për drejtësi, transparencë dhe heqjen e imunitetit për zyrtarët e dyshuar për korrupsion, ndërsa shoqëria civile paralajmëron se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
