“New York Times” godet fort edhe Edi Ramën: Nga Gërdeci te “Diella”, Shqipëria sërish në qendër të skandaleve të korrupsionit

Data

Gazeta prestigjioze amerikane New York Times, e njohur për investigimin që denoncoi masakrën e Gërdecit si “aferën e shekullit” gjatë qeverisjes së Sali Berishës, rikthehet sërish në fokusin e politikës shqiptare, këtë herë me kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe modelit të tij të “shtetit digjital”.

Sipas analizës së publikuar, Rama përballet me vështirësi serioze politike për shkak të skandalit që lidhet me “Diellën”, avatarin e inteligjencës artificiale të prezantuar si armë kundër korrupsionit. Ironia, sipas gazetës, qëndron në faktin se sistemi i ndërtuar për të luftuar abuzimet është krijuar dhe menaxhuar nga struktura shtetërore të goditura nga hetime për korrupsion dhe lidhje kriminale.

Artikulli ngre pikëpyetje serioze mbi besueshmërinë e “Diellës”, e cila është promovuar si simbol i transparencës dhe reformave digjitale, por që në praktikë administrohet nga një agjenci shtetërore e përfshirë në hetime të rënda penale. Gazeta thekson se korrupsioni në Shqipëri mbetet i përhapur, pavarësisht retorikës së reformave dhe progresit drejt Bashkimit Europian.

Situata rëndohet edhe më shumë nga hetimet që prekin zëvendëskryeministren Belinda Balluku, një nga figurat më të afërta të Ramës. Rasti Balluku cilësohet si një “dhimbje koke politike” për kryeministrin, i cili shmang komentet mbi heqjen e imunitetit të saj, duke shtuar perceptimin e mungesës së transparencës.

Në shkrim vihet në dukje se, ashtu si në rastin e Gërdecit, ku kontratat e armëve dhe praktikat e dyshimta sollën pasoja tragjike dhe ekspozim ndërkombëtar, edhe sot Shqipëria përmendet në mediat botërore jo për sukseset, por për skandale që lidhen me korrupsionin dhe kapjen e shtetit.

New York Times vë në dyshim nëse një “ministre” e krijuar nga inteligjenca artificiale mund të funksionojë realisht si e paanshme në një sistem ku vetë institucionet që e administrojnë janë nën hetim. Sipas gazetës, fakti që “Diella” është ndërtuar për të luftuar korrupsionin nga njerëz të akuzuar për korrupsion, e shndërron atë nga simbol reforme në simbol hipokrizie.

Nga Gërdeci te “Diella”, sipas analizës, historia duket se përsëritet me aktorë të ndryshëm, por me të njëjtin skenar: premtime për reformë, të shoqëruara me skandale, hetime dhe krizë besimi. Dhe edhe një herë, është një media ndërkombëtare ajo që rikthen vëmendjen te problemet strukturore të shtetit shqiptar, duke vënë në pikëpyetje realitetin përtej propagandës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related