Qeveria parashikon për vitin 2026 indeksimin e pagave me 2.5%, në përputhje me nivelin e inflacionit, për të gjithë punonjësit e administratës publike dhe të pushtetit vendor. Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka konkretizuar këtë propozim përmes një projektvendimi, i cili parashikon rritje page për pesë kategori të punonjësve të pushtetit vendor.
Sipas relacionit shoqërues të projektvendimit, indeksimi do të zbatohet në mënyrë të njëjtë për nëpunësit e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe për punonjësit e administratës publike qendrore, duke hyrë në fuqi nga data 1 janar 2026.
Në vlera konkrete, rritja mujore e pagave varion nga 1 mijë deri në 10 mijë lekë, në varësi të kategorisë dhe pozicionit të punës. Rritja më e lartë prej 10 mijë lekësh në muaj parashikohet për punonjësit mbështetës të administratës vendore, duke e çuar pagën bazë nga 40–47 mijë lekë në 50–57 mijë lekë në muaj.
Për funksionarët e zgjedhur të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të pushtetit vendor, kufijtë minimalë të pagave pritet të rriten nga rreth 3,900 lekë në mbi 6,700 lekë në muaj, ndërsa kufijtë maksimalë nga rreth 4,600 lekë në gati 8,000 lekë në muaj.
Për pozicionin “specialist”, klasa IV-4, në të gjitha bashkitë dhe këshillat e qarqeve, propozohet një rritje prej 1,000 lekësh në muaj, ndërsa për “Sekretarin e Përgjithshëm” të Bashkisë së Tiranës rritja parashikohet në vlerën 2,625 lekë në muaj.
Ndërkohë, për nëpunësit e klasave III dhe IV në njësitë e vetëqeverisjes vendore, rritja mujore e pagës varion nga 4,000 deri në 5,000 lekë, ndërsa për pozicionet e niveleve më të larta administrative parashikohet rritje nga 3,525 deri në 5,425 lekë në muaj.
Sipas vlerësimeve financiare, zbatimi i këtij vendimi do të sjellë një kosto prej rreth 60 milionë lekësh në muaj për punonjësit mbështetës dhe rreth 83 milionë lekësh në muaj për punonjësit e tjerë, për shkak të rritjes së kufirit minimal të pagës. Këto shpenzime do të përballohen nga transfertat buxhetore për njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe nga të ardhurat e tyre të veta, në kuadër të buxhetit të vitit 2026.
