“PD e dobësuar”, Arben Malaj: Berisha po vë në pikëpyetje trashëgiminë e tij politike

Data

Ish-ministri i Financave dhe profesori Arben Malaj është shprehur skeptik për ndikimin që protestat e Partisë Demokratike mund të kenë mbi mazhorancën socialiste, duke vënë në dyshim aftësinë e opozitës për të prodhuar ndryshim real politik në vend.

I ftuar në një emision televiziv, Malaj analizoi historikisht rolin e protestave në demokraci, duke theksuar se pushtetet me prirje autokratike kanë mësuar ta përballojnë presionin qytetar përmes lodhjes së shoqërisë.

“Nuk jam optimist për protestat. Krerët me tendenca autokratike e dinë se njerëzit lodhen dhe nuk arrijnë gjithmonë rezultatin që synojnë. Objektivi maksimal që mund të ketë Partia Demokratike është të detyrojë mazhorancën drejt një qeverie teknike, por jo rrëzimin e drejtpërdrejtë të qeverisë”, u shpreh Malaj.

Sipas tij, një qeveri teknike do të duhej të ishte e përkohshme, me mandat të qartë dhe e përbërë vetëm nga profesionistë, duke marrë si shembull modelin e Maqedonisë së Veriut dhe jo marrëveshje politike të së shkuarës në Shqipëri.

I pyetur nëse rrëzimi i kryeministrit Edi Rama kalon përmes largimit të Sali Berishës nga drejtimi i PD-së, Malaj tha se kryedemokrati po e vë seriozisht në pikëpyetje trashëgiminë e tij politike.

“Berisha e ka vënë të gjithë trashëgiminë e tij politike në një dyshim të madh. Dominimi i Partisë Demokratike nga Berisha është kthyer në pengesë për vetë forcën politike, e cila ka ardhur duke u dobësuar ndër vite”, tha ai.

Malaj shtoi se ndryshe nga e majta, ku rotacioni i lidershipit nuk është kushtëzuar nga largimi i një figure të vetme, PD ka mbetur e bllokuar në të njëjtin model drejtimi.

Duke komentuar votimin e marrëveshjes për Bordin e Paqes për rindërtimin e Gazës, Malaj tha se po të ishte në vend të opozitës do të kishte abstenuar, duke argumentuar se fitorja politike nuk mund të vijë nga jashtë.

“Opozita duhet ta kërkojë fitoren duke krijuar besim brenda vendit. Votimi i një marrëveshjeje që më parë ishte kundërshtuar fort, ul kredibilitetin politik”, u shpreh ai.

Në fund, Malaj komentoi edhe gjuhën e përdorur nga kryeministri në Parlament, duke e cilësuar përçmuese dhe duke bërë thirrje për uljen e tensioneve politike dhe ndryshim të qasjes ndaj opozitës, nëse synohet stabilitet dhe dialog real politik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related