“Politikanët pasurohen nga pushteti”/ Arben Malaj: Ata që kanë qeverisur Shqipërinë, nuk e duan këtë vend

Data

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si është qeverisur Shqipëria ndër vite, duke deklaruar se një pjesë e madhe e politikanëve e shohin pushtetin si mjet për pasurim personal dhe jo si shërbim ndaj vendit.

Gjatë një interviste televizive, Malaj u shpreh se ata që kanë drejtuar qeveritë shqiptare nuk e duan realisht Shqipërinë, pasi e kanë përdorur pushtetin si rrugë të shkurtër për t’u bërë të pasur.

“Unë dyshoj se shumë prej atyre që janë angazhuar në qeveritë e të gjitha kohërave nuk e duan këtë vend. Ata e shohin qeverinë si një mjet për t’u pasuruar shpejt. Problemi më i madh në Shqipëri është lidhja e fortë mes biznesit dhe politikës”, u shpreh Malaj.

Ai theksoi se politikanët nuk duhet të bëjnë biznes me paratë e taksapaguesve, duke paralajmëruar se në Shqipëri kjo lidhje ka arritur nivelin e kapjes së shtetit.

“Shteti po kapet nga interesa private. Politikanët përdorin pushtetin për të orientuar paratë publike drejt biznesit të tyre ose klientelës së tyre. Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për demokracinë”, tha ish-ministri i Financave.

Malaj komentoi edhe votimin e Shqipërisë për përfshirjen në Bordin e Paqes për Gazën, duke deklaruar se nëse do të ishte në opozitë, do të kishte abstenuar, pasi sipas tij vendimi ishte i ndikuar nga presione politike dhe jo nga parime të qarta.

Ai foli gjithashtu për protestat e opozitës, duke theksuar se protestat janë pjesë e historisë politike të Shqipërisë dhe një element i demokracisë, por paralajmëroi se përdorimi i tyre duhet të jetë i përgjegjshëm.

Sipas Malajt, synimi i opozitës përmes protestave është krijimi i kushteve për një qeveri teknike, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut, ku mazhoranca tërhiqet për të garantuar zgjedhje më të lira dhe më demokratike.

“Protestat janë mjet demokratik, por ajo që kërkohet sot është rikthimi i besimit tek shteti dhe tek demokracia. Shqipëria ka nevojë për frymë të re, jo për kapje të shtetit nga politika dhe biznesi”, përfundoi Malaj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related