Gripi sezonal ka hyrë në fazën më të fortë të qarkullimit, duke shënuar pikën maksimale të infektimeve në fund të muajit janar. Instituti i Shëndetit Publik raporton se 18.500 persona janë prekur vetëm gjatë javës së fundit, ndërsa shifrat reale vlerësohen të jenë edhe më të larta, pasi shumë qytetarë nuk i drejtohen mjekut.
Sipas specialistëve të ISHP-së, në këtë sezon po dominojnë nëntipet AH3N2 dhe AH1N1, të cilat po shkaktojnë edhe forma më të rënda të sëmundjes, veçanërisht te fëmijët dhe të moshuarit.
Ekspertët theksojnë se Shqipëria ndodhet në të njëjtën situatë me pjesën më të madhe të Evropës, ku gripi është në kulmin e tij. Edhe pse zyrtarisht ende nuk flitet për epidemi, vala e infektimeve ka rritur ndjeshëm fluksin e pacientëve në qendrat shëndetësore dhe spitalet.
Vetëm gjatë kësaj jave, 130 pacientë janë shtruar në shërbimin infektiv për shkak të komplikacioneve nga gripi, ndërsa raste të shtuara raportohen edhe në sanatorium dhe pediatri. Krahas gripit, tek fëmijët po qarkullojnë edhe viruse të tjera respiratore, përfshirë virusin respirator sincicial.
ISHP u bën thirrje qytetarëve të respektojnë sistemin e referimit, duke iu drejtuar fillimisht mjekut të familjes, për të shmangur mbipopullimin e urgjencave spitalore, sidomos në raste me simptoma të lehta.
Sipas parashikimeve të specialistëve, piku i gripit pritet të vijojë edhe në javët e para të shkurtit, për t’u pasuar më pas nga një rënie graduale e infektimeve.
