“Mund të prishë provat” – Qiraxhi: Balluku duhej pezulluar menjëherë nga detyra

Data

Një protestë është paralajmëruar për ditën e nesërme në Tiranë, në të njëjtën kohë kur Këshilli i Mandateve do të shqyrtojë kërkesën për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar fillimisht pezullimin nga detyra dhe më pas arrestimin.

Migen Qiraxhi, përfaqësues i lëvizjes “Qëndresa Qytetare”, deklaroi se protesta organizohet si reagim ndaj asaj që ai e cilëson mbrojtje politike të një zyrtareje të akuzuar nga drejtësia. Sipas tij, Kuvendi është vonuar në marrjen e një vendimi, duke krijuar precedent të rrezikshëm për funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Ne mendojmë se Parlamenti po mban nën mbrojtje politike një person të akuzuar nga drejtësia dhe kjo është e papranueshme. Qytetarët duhet të tregojnë se janë në anën e ligjit dhe jo të pazareve politike,” u shpreh Qiraxhi.

Ai theksoi se qëllimi i protestës është të ushtrohet presion publik që Kuvendi të veprojë, duke i hequr imunitetin Ballukut dhe duke mos penguar hetimet e SPAK. “Prokurorët vetë kanë deklaruar se ekziston rreziku i prishjes së provave dhe intimidimit të dëshmitarëve. Kjo është arsye e mjaftueshme që të ndërhyhet menjëherë,” shtoi ai.

Sipas Qiraxhit, minimalisht zëvendëskryeministrja duhet të ishte pezulluar nga detyra që në momentin kur u shpall e pandehur. “Kjo çështje nuk mund të zvarritet. Balluku duhej pezulluar nga detyra dhe më pas Parlamenti të procedonte me heqjen e imunitetit, pa asnjë vonesë,” përfundoi ai.

Protesta e paralajmëruar synon të shoqërojë vendimmarrjen e Këshillit të Mandateve dhe të dërgojë një mesazh të qartë se qytetarët kërkojnë drejtësi pa ndërhyrje politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related