Tensione në PS: Balla–Braçe përplasen në Kuvend për Aktin Normativ

Data

Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me debate të forta brenda mazhorancës, ku në qendër të përplasjes u vendosën kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, dhe deputeti Erion Braçe, lidhur me Aktin Normativ të rishpërndarjes së buxhetit.

Braçe, gjatë fjalës së tij në foltore, ngriti një dilemë të drejtpërdrejtë politike ndaj grupit socialist, duke kujtuar se një amendament i propozuar prej tij ishte rrëzuar vetëm katër javë më parë, ndërsa sot po rikthehej përmes Aktit Normativ. Ai kërkoi sqarim se si duhej ta votonte këtë akt, duke theksuar se nuk po kërkonte ndryshime, por një qëndrim të qartë politik.

Reagimi i Ballës ishte i prerë. Ai theksoi se aktet normative ose miratohen, ose rrëzohen, dhe nuk mund të amendohen në sallë, duke shtuar se shqetësimet për fermerët dhe dëmet nga fatkeqësitë natyrore janë të drejta, por nuk mund të adresohen në këtë mënyrë procedurale.

Braçe këmbënguli se pyetja e tij ishte legjitime dhe politike, jo procedurale: “Amendamenti që u rrëzua katër javë më parë sot është sjellë si akt normativ. Pyeta vetëm si duhet ta votoj, pro apo kundër”, u shpreh deputeti socialist.

Nga ana tjetër, Balla u përpoq të ulë tonet, duke deklaruar se është dakord me shqetësimet për mbështetjen e fermerëve dhe banorëve të prekur nga përmbytjet, por ftoi grupin që ta votojë aktin normativ si një zgjidhje të domosdoshme në këtë fazë.

Debati nxori në pah jo vetëm tensione të brendshme në radhët e mazhorancës, por edhe përplasjen mes vendimmarrjes politike dhe nevojës për t’iu përgjigjur problematikave reale të qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related