Vetëm 300 metra rrugë në lagjen “Via e Ngjalës”, në hyrje të qytetit të Fierit nga Mbrostari, janë kthyer prej vitesh në simbol të neglizhencës dhe zhgënjimit për dhjetëra familje që jetojnë aty. Rruga vijon të mbetet e pashtruar, pavarësisht ankesave të përsëritura dhe premtimeve elektorale.
Banorët thonë se rreth 30 familje kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrje nga Bashkia e Fierit, por pa asnjë rezultat. Në verë përballen me pluhur të dendur, ndërsa në dimër me baltë dhe ujë që e bëjnë rrugën pothuajse të pakalueshme, duke vështirësuar jetën e përditshme dhe lëvizjen e fëmijëve, të moshuarve dhe mjeteve.
“Sa herë ka zgjedhje, na premtojnë rrugën. Mbarojnë zgjedhjet dhe gjithçka harrohet”, shprehen banorët, duke theksuar se edhe në fushatën e fundit zgjedhore u është premtuar shtrimi i saj nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, por pas votimeve asgjë nuk ndryshoi.
Sipas tyre, arsyeja e vërtetë e mungesës së investimit është politike. Banorët pretendojnë se lagjja njihet si “lagje e demokratëve”, pasi shumica votojnë Partinë Demokratike, dhe për këtë arsye po ndëshkohen me harresë institucionale. Ata e cilësojnë këtë si diskriminim të hapur politik.
Ndërsa premtimet vazhdojnë të mbeten fjalë, 300 metra rrugë të pashtruara janë ende një pengesë e përditshme për banorët e “Via e Ngjalës”, në një zonë që ndodhet në hyrje të një qyteti të madh si Fieri.
