Plakja e shpejtë e popullsisë dhe largimi masiv i të rinjve po kthehen në kërcënimin më serioz për ekonominë shqiptare. Alarmin e dha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë prezantimit të Raportit të Tranzicionit 2025–2026 të BERZH-it.
Në fjalën e tij, Sejko theksoi se Shqipëria po ndjek me ritme të përshpejtuara një trajektore shqetësuese demografike, ku popullsia në moshë pune po zvogëlohet, ndërsa mosha mesatare po rritet me shpejtësi.
Sipas tij, këto zhvillime nuk janë thjesht statistikë, por godasin drejtpërdrejt themelet e rritjes ekonomike afatgjatë. Plakja e popullsisë dhe emigrimi i të rinjve ndikojnë njëkohësisht si në kërkesën, ashtu edhe në ofertën agregate, duke ndryshuar modelet e konsumit, strukturën e tregut të punës dhe produktivitetin.
“Nivelet historikisht të ulëta të papunësisë dhe mungesat e fuqisë punëtore në sektorë kyç po i bëjnë edhe më të dukshme pasojat afatgjata të këtyre ndryshimeve demografike,” theksoi Sejko.
Guvernatori paralajmëroi se këto trende pritet të vazhdojnë edhe në vitet në vijim, duke përmbysur piramidën demografike dhe duke rritur kostot e prodhimit, presionet mbi çmimet dhe duke frenuar investimet.
Sipas tij, nëse nuk adresohen në kohë, këto zhvillime do të kufizojnë kapacitetin prodhues të ekonomisë dhe do të cenojnë seriozisht qëndrueshmërinë afatgjatë të rritjes ekonomike të vendit.
Mesazhi i Raportit të BERZH-it dhe paralajmërimit të Bankës së Shqipërisë është i qartë: pa politika që ndalin emigrimin, mbështesin familjet dhe rikthejnë fuqinë punëtore, Shqipëria rrezikon të mbetet me më pak të rinj, më pak produktivitet dhe një ekonomi gjithnjë e më të brishtë.
