Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj qeverisë gjatë seancës plenare, duke deklaruar se sot në burg nuk duhet të jenë qytetarët që protestojnë, por zyrtarët e lartë të pushtetit.
Blushi e cilësoi të papranueshme arrestimin e protestuesve paqësorë pas protestës së 24 janarit dhe ngriti alarmin për ndalimin e një të miture, duke kërkuar llogari direkte nga ministrja e Brendshme. Sipas tij, kjo është çështja reale që duhet të ishte në rendin e ditës së Kuvendit dhe jo përpjekja për të zhvilluar një seancë “normale”, sikur asgjë nuk ka ndodhur.
“Sot në burgjet tuaja janë qytetarë të pafajshëm që protestuan për të drejtat e tyre. Si ka mundësi që arrestohet një minorene? Kush mban përgjegjësi për këtë?” – tha Blushi.
Deputeti i PL-së u shpreh se drejtësia po përdoret kundër qytetarëve, ndërsa zyrtarët e akuzuar për korrupsion dhe abuzime mbrohen nga pushteti. Ai përmendi me emra kryeministrin Edi Rama, zv/kryeministren Belinda Balluku dhe Ergys Agasin, duke deklaruar se ata duhet të ishin sot përpara drejtësisë.
“Sot në burg duhet të ishin Edi Rama, Belinda Balluku dhe Ergys Agasi, jo qytetarët e thjeshtë. Jeni kthyer në një pushtet që sillet si diktaturë. Jeni bërë si Gadafi, rrethuar me badigardë dhe të shkëputur nga realiteti,” deklaroi Blushi.
Fjalimi i tij u shoqërua me tension në sallë, ndërsa opozita akuzon qeverinë për represion politik, frikësim të qytetarëve dhe përdorim të policisë si mjet për të shtypur protestat.
