Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kërkuar në Kuvend tërheqjen nga rendi i ditës të projektligjeve që nuk kanë kaluar procesin e konsultimit publik, duke akuzuar qeverinë për miratim të ligjeve në mënyrë të fshehtë dhe të përshpejtuar.
Tabaku theksoi se nuk mjafton heqja e përkohshme e katër projektligjeve, pasi një pjesë e madhe e nismave ligjore nuk janë diskutuar me grupet e interesit dhe as me profesionistët e fushës. Ajo veçoi si veçanërisht problematik ligjin për armatimet, si dhe ndryshimet në Kodin Penal dhe në legjislacionin që prek gazetarët.
Sipas saj, qeveria po sjell masa shtrënguese dhe penalitete ndaj qytetarëve në mënyrë tinëzare, pa transparencë dhe pa debat real parlamentar. “Ligjet nuk mund të kalojnë me diskutime formale prej 30 minutash në komisione. Ato duhet të analizohen, të konsultohen dhe të diskutohen gjerësisht,” u shpreh Tabaku.
Deputetja demokratike nënvizoi se procesi i integrimit europian nuk është një proces formal miratimi letrash, por një proces real ndryshimi që kërkon standarde, transparencë dhe përfshirje. Ajo i bëri thirrje deputetëve të mazhorancës dhe opozitës t’i bashkohen propozimit të Partisë Demokratike për ndryshimet në Kodin Penal, duke garantuar një proces ligjvënës të ndershëm dhe në shërbim të qytetarëve.
