Ndërsa ndodhet nën presion të fortë nga SPAK dhe në prag të mundshëm arrestimi, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, po tenton një lëvizje të re që ka ngritur alarmin për kapje institucionale. Bëhet fjalë për përpjekjen për të emëruar në krye të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) Irma Drobonikun, një emër i lidhur ngushtë personalisht dhe profesionalisht me rrethin e saj më të afërt, si dhe e dyshuar nën hetim.
Balluku, e marrë tashmë e pandehur për dy çështje tenderash dhe nën hetim për gjithsej 11 procedura prokurimi, po tenton të vendosë në krye të institucionit që kontrollon tenderat publikë një person me lidhje direkte me dosjet që po hetohen nga SPAK. Emërimi i Irma Drobonikut shihet si një përpjekje për të ndikuar proceset hetimore dhe për të ruajtur kontrollin mbi një hallkë kyçe të sistemit të prokurimit.
Irma Droboniku ka mbajtur më parë postin e Sekretares së Përgjithshme të KPP-së, gjatë periudhës kur institucioni drejtohej nga Jonaid Myzyri, i cili është pezulluar nga detyra dhe është i pandehur për shkelje të barazisë në tendera me kërkesë të SPAK. Burime jozyrtare bëjnë me dije se Droboniku ka lidhje të ngushta me Viola Haxhiademin, ish-Sekretaren e Përgjithshme dhe bashkëpunëtoren më të afërt të Ballukut, e cila gjithashtu është përfshirë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme.
Dokumente administrative tregojnë se Droboniku dhe Balluku njihen prej më shumë se 20 vitesh dhe kanë punuar së bashku në Bashkinë e Tiranës dhe në Albcontrol SHA. Karriera e saj ka ndjekur një vijë të qartë institucionale pranë strukturave të lidhura drejtpërdrejt me Ballukun: nga Bashkia e Tiranës, te Albcontrol dhe më pas në Komisionin e Prokurimit Publik.
Sipas burimeve, dy javë më parë SPAK ka kryer veprime procedurale ndaj Irma Drobonikut dhe Viola Haxhiademit, përfshirë kontrolle banesash dhe sekuestrim telefonash, në kuadër të hetimeve që lidhen me tenderat dhe procedurat për të cilat po hetohet edhe vetë Balluku. Mësohet se Droboniku dyshohet për përfshirje në dy nga 11 rastet nën hetim.
Zhvillimet vijnë në një moment kritik, kur SPAK ka intensifikuar hetimet mbi prokurimet publike, ndërsa çdo lëvizje në KPP konsiderohet me ndikim të drejtpërdrejtë në dosjet penale aktive. Për këtë arsye, tentativa për emërim po shihet si përpjekje për të ndikuar provat, dëshmitarët dhe rrjedhën e hetimit.
Vetë SPAK, në kërkesën drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të Ballukut, ka argumentuar se ajo, duke qëndruar në detyrë, ka përdorur pushtetin për të ushtruar presion ndaj vartësve dhe dëshmitarëve. Në relacionin e prokurorisë theksohet se Balluku ka ndërhyrë në mënyrë aktive për të penguar hetimin, duke justifikuar kërkesën për zëvendësim të masës së sigurisë.
Lista e akuzave ndaj saj është zgjeruar nga tuneli i Llogarasë, te 7 tenderat e Unazës së Madhe, koncesioni Thumanë–Kashar dhe kontrata për mirëmbajtjen e rrugëve në veri të vendit. Pavarësisht mbrojtjes politike nga kryeministri Edi Rama, i cili ka kundërshtuar pezullimin e saj, SPAK ka ashpërsuar qëndrimin dhe ka kërkuar zyrtarisht heqjen e imunitetit që në dhjetor.
Në këtë kontekst, tentativa për të emëruar në krye të KPP-së një person të lidhur ngushtë me dosjet penale dhe rrethin personal të Ballukut shihet si një akt i rëndë që ngre pikëpyetje serioze mbi standardet e qeverisjes, ndarjen e pushteteve dhe respektimin e drejtësisë. Për opozitën dhe juristët kritikë, kjo është arsyeja kryesore pse Belinda Balluku nuk duhet të qëndrojë më asnjë ditë në detyrë.
