Prokuroria e Korçës ka nisur hetime të thelluara ndaj dy punonjëseve të degës postare të Bilishtit, të dyshuara për vjedhjen e një shume prej rreth 22 milionë lekësh nga fondet e pensioneve. Hetimi është regjistruar për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, e dyshuar e kryer në bashkëpunim.
Sipas të dhënave zyrtare, bëhet fjalë për shtetaset P.Sh. dhe E.Ç., të cilat dyshohet se gjatë periudhës tetor 2025 – janar 2026 kanë manipuluar fondet cash përmes ndërhyrjeve në sistemin financiar, manipulimit të mandateve të pagesave dhe administrimit të parregullt të dokumentacionit kontabël.
Kontrollet e brendshme administrative kanë zbuluar mospërputhje serioze mes gjendjes faktike të arkës, dokumentacionit financiar dhe të dhënave të pasqyruara në sistemin elektronik. Hetimet paraprake kanë evidentuar firma mandatesh jashtë ambienteve të zyrës postare, mandate pa shuma konkrete, pasqyrim të rremë të të dhënave financiare, si edhe mosmbajtje të rregullt të librit të arkës, përfshirë grisje faqesh.
Si pasojë e këtyre veprimeve dyshohet se është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm ekonomik, i cili aktualisht po i nënshtrohet ekspertimit financiar. Fillimisht ndaj dy punonjëseve është caktuar masa e sigurimit personal në mungesë, ndërsa më pas gjykata ka vendosur masën “arrest në shtëpi” për të dyja.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar dokumente financiare dhe pajisje elektronike, janë kryer kontrolle banesash, këqyrje të sistemeve informatike dhe janë marrë deklarime nga persona që kanë dijeni për çështjen. Prokuroria vijon punën për zbardhjen e plotë të mekanizmit të përvetësimit dhe për përcaktimin e përgjegjësive individuale.
Autoritetet theksojnë se personat e proceduar gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, ndërsa hetimet do të vijojnë deri në dokumentimin e plotë ligjor të kësaj çështjeje.
