Gazetari dhe aktivisti Aulon Kalaja, njëherazi Drejtues i Departamentit për Mbrojtjen e Familjes në Partinë Demokratike, ka folur pas seancës së radhës gjyqësore në procesin e ngritur ndaj tij nga kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, për akuzën e shpifjes.
Kalaja bën me dije se në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Tiranës (Dhoma Penale) janë paraqitur një pjesë e konsiderueshme e provave mbrojtëse, përfshirë materiale audio dhe video, të cilat sipas tij vërtetojnë plotësisht deklaratat e bëra prej tij në media.
“Me video dhe audio kam provuar para gjykatës gjithçka që kam thënë publikisht. Nuk jam tërhequr nga asnjë deklaratë,” u shpreh Kalaja, duke theksuar se rreth gjysma e provave janë shqyrtuar gjatë seancës, e cila u ndërpre pas afro dy orësh.
Sipas tij, gjykata ka caktuar seancën e radhës më 11 shkurt, ora 13:00, ku do të paraqiten dhe analizohen provat e mbetura.
Kalaja e cilëson padinë e ngritur ndaj tij si një padi strategjike për presion, duke shtuar se synimi i saj nuk është zbardhja e së vërtetës, por intimidimi.
“Kjo është një padi strategjike nga ana e zotit Veliaj. Hallin që ai ka, nuk ia zgjidh dot kjo gjykatë,” përfundon Kalaja.
