Një 28-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane pasi u kap duke transportuar 30 kilogramë kokainë të pastër, me vlerë miliona euro në tregun e drogës.
Arrestimi u krye në periferi të Milanos, pasi karabinierët vunë re sjellje të dyshimta dhe ndaluan automjetin që drejtonte i riu. Makina ishte parkuar në një zonë të izoluar pranë unazës rrugore, çka ngriti dyshime tek patrulla.
Gjatë kontrollit të automjetit, në bagazh u gjetën 26 pako me një sasi totale prej rreth 30 kg kokainë. I riu u arrestua në flagrancë për posedim dhe trafik narkotikësh dhe u dërgua në burg, në pritje të hetimeve dhe gjykimit.
Autoritetet italiane kanë nisur hetime të thelluara, pasi dyshohet se 28-vjeçari ishte pjesë e një rrjeti të organizuar trafiku, ndërsa sasia e kapur konsiderohet një nga ngarkesat më të mëdha të sekuestruara së fundmi në zonë.
