Pas më shumë se dy vitesh në arrati, Policia e Shtetit arrestoi në Dubai Bujar Sefën, një nga anëtarët kryesorë të grupit kriminal “Rraja”, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Arrestimi i tij erdhi në kuadër të një operacioni të gjerë, ku u lëshuan gjithsej 13 urdhër-arreste ndaj anëtarëve të grupit.
Dosja hetimore trevjeçare ka zbardhur detaje të reja mbi veprimtarinë kriminale të këtij grupi, i cili vepronte kryesisht në zonat malore të njësisë administrative Cudhi, në bashkinë Krujë. Grupi merrej me kultivimin masiv të kanabisit dhe shpërndarjen e tij, duke përdorur komunikime me radio për të shmangur përgjimet telefonike.
Në dosje përfshihen edhe përgjime audio, ku dëgjohet qartë se si Bujar Sefa inkurajon bashkëpunëtorët e tij të mos dorëzohen, edhe kur rreziku nga policia ishte i lartë. Në një komunikim të regjistruar më 15 shtator 2020, në orët e para të mëngjesit, Sefa bisedon me një tjetër person nën hetim, Asim Palucin, duke u interesuar për gjendjen e parcelave dhe praninë e forcave të rendit.
Gjatë bisedës, Sefa shprehet: “Mos u dorëzoni se shpresa vdes e fundit”, duke u kërkuar kultivuesve të vazhdojnë aktivitetin me shpresën se policia nuk do t’i zbulojë ose shkatërrojë parcelat. Ai paralajmëron gjithashtu për lëvizje të dyshimta të automjeteve policore në zonë dhe këshillon marrjen e masave për të fshehur gjurmët.
Sipas hetuesve, këto përgjime provojnë jo vetëm rolin drejtues të Sefës në grup, por edhe faktin se aktiviteti kriminal ishte i organizuar, i qëndrueshëm në kohë dhe i bazuar në komunikim të vazhdueshëm mes anëtarëve.
Bujar Sefa akuzohet si një nga organizatorët kryesorë të kultivimit të kanabisit në këtë zonë dhe tashmë pritet të ekstradohet për t’u përballur me drejtësinë shqiptare, ndërsa hetimet ndaj pjesës tjetër të grupit vijojnë.
