Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka denoncuar publikisht gjendjen alarmante të rrugës Qukës–Qafë Plloçë, një nga projektet më të shtrenjta infrastrukturore të viteve të fundit, e cila sipas tij është kthyer në rrezik serioz për qytetarët.
Kapri deklaron se rruga, e cila ka kushtuar rreth 260 milionë euro nga paratë e taksapaguesve, u inaugurua me ceremoni dhe festival nga kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, por sot paraqet çarje të shumta dhe probleme të rënda strukturore.
Sipas deputetit, përpjekjet për të “rregulluar” situatën janë skandaloze, pasi çarjet masive po mbulohen me kusi dhe bitum, një zgjidhje provizore që nuk garanton as siguri dhe as standarde teknike.
“Kjo rrugë u propagandua si sukses madhor, por sot është dëshmi e qartë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit. Me bitum nuk fshihet dështimi,” shprehet Kapri, duke e cilësuar projektin si simbol të shpërdorimit të fondeve publike.
Ai kërkon hetim të plotë për kontratat, cilësinë e punimeve dhe përgjegjësinë e institucioneve, duke paralajmëruar se heshtja përballë këtij skandali rrezikon jetën e qytetarëve që qarkullojnë çdo ditë në këtë aks.
