Dhuna ndaj protestuesve të opozitës nuk u ndal vetëm në bulevard gjatë protestës së së shtunës, por vijoi edhe brenda komisariateve të policisë në Tiranë. Kështu deklaroi deputeti i Partisë Demokratike, Zija Ismaili, i cili rrëfeu detaje tronditëse nga ajo që e cilësoi si sjellje barbare të forcave të rendit ndaj qytetarëve dhe deputetëve opozitarë.
I ftuar në një studio televizive, Ismaili tha se bashkë me disa deputetë u paraqit në Komisariatin nr. 1 për të kërkuar informacion mbi një protestues nga Berati, Rexhino Pepaj, i cili ishte arrestuar dhe dhunuar, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore. Sipas tij, Pepaj u lirua më pas dhe u dërgua në spital me shenja të dukshme dhune dhe probleme serioze me shikimin.
Momentin më tronditës, deputeti e cilësoi gjetjen e një fëmije 10-vjeçar brenda komisariatit. Ai deklaroi se fëmija ishte i traumatizuar psikologjikisht, me dhimbje fizike dhe po tentohej të merrej në pyetje pa praninë e prindërve, punonjësit social apo kujdestarit ligjor. “Kjo e kalon çdo kufi barbarie,” u shpreh Ismaili.
Deputeti akuzoi policinë se veproi sipas një skenari të parapërgatitur për të frikësuar protestuesit, duke përdorur gaz lotsjellës të skaduar, ujë me presion dhe shoqërime masive nga persona të veshur civilë, me kapuçë dhe pa identifikim. Si mjek, ai theksoi se përdorimi i gazit të skaduar është jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin dhe se shumë protestues patën probleme serioze me frymëmarrjen.
Në përfundim, Ismaili bëri një krahasim të fortë politik, duke deklaruar se këto akte e afrojnë Shqipërinë me regjime represive si ai i Iranit dhe jo me standardet e Bashkimit Europian. “Një shtet që dhunon qytetarët e tij, fëmijët dhe deputetët e opozitës, nuk mund të quhet demokratik,” tha ai.
