Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas përdorimit masiv të gazit lotsjellës nga policia gjatë protestës së djeshme të opozitës, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje flagrante të konventave ndërkombëtare dhe akt të rëndë ndaj qytetarëve.
I pyetur nga gazetarët, Berisha deklaroi se opozita do ta denoncojë përdorimin e gazit, përfshirë edhe atë të skaduar, si brenda vendit ashtu edhe në institucionet ndërkombëtare, duke paralajmëruar se ky akt mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e qytetarëve.
Sipas tij, reagimi i kryeministrit Edi Rama pas protestës tregoi panik dhe frikë. Berisha u shpreh se Rama, të cilin e quajti “Ramaduro”, ka kaluar një natë plot makthe pas protestës dhe mëngjesin e sotëm ka sulmuar të rinjtë protestues me një gjuhë fyese dhe përçmuese.
“Ramaduro sot shkruante i vrenosur, i tmerruar, duke i quajtur të rinjtë rrugaçë lagjesh. Kjo është e njëjta gjuhë që përdorte diktatori i fundit komunist ndaj rinisë së Tiranës”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se krahasimi nuk është rastësor dhe se historia po përsëritet, duke shtuar se të rinjtë që dolën në protestë janë nderi dhe krenaria e kombit shqiptar.
Berisha deklaroi se rinia shqiptare nuk do të trembet nga dhuna, gazi lotsjellës apo propaganda e pushtetit, dhe se ajo do të jetë faktori vendimtar që do t’i japë fund, sipas tij, një regjimi të mbrojtur nga krimi dhe bandat.
“Fundi i këtij pushteti është i pashmangshëm dhe do të firmoset nga të rinjtë dhe adoleshentët shqiptarë, të cilët dje ishin masivisht në shesh dhe tronditën themelet e këtij regjimi”, u shpreh Berisha.
Ai përfundoi duke paralajmëruar se opozita nuk do të ndalet dhe se çdo akt dhune ndaj qytetarëve do të përballet me reagim të fortë politik dhe ligjor.
