Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas protestës së djeshme të opozitës, duke e cilësuar atë si një shpërthim të fuqishëm të zemërimit qytetar dhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj asaj që ai e quajti narkoshteti i drejtuar nga Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat, Blushi shprehu mirënjohje për mijëra qytetarë që dolën në shesh, duke përballuar dhunën policore, gazin lotsjellës dhe presionin e forcave të rendit, pa u tërhequr dhe pa u trembur.
Sipas tij, protesta tregoi qartë se shumica e shqiptarëve nuk pranon më një qeverisje të kapur nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe interesat mafioze. Ai theksoi se qytetarët u vendosën ballë për ballë me figurat që opozita i akuzon si simbol të këtij sistemi, duke përmendur emra të qeverisë dhe drejtues të strukturave shtetërore.
Blushi dënoi ashpër dhunën ndaj protestuesve, përfshirë edhe të mitur dhe gazetarë, duke e cilësuar atë si shenjë paniku dhe frike nga ana e pushtetit. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të të gjithë qytetarëve të arrestuar dhe paralajmëroi se përgjegjësit për dhunën do të mbajnë përgjegjësi personale.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, protesta e djeshme shënon hyrjen e revoltës qytetare në një fazë të re, më të vendosur dhe më të organizuar, që do të vijojë deri në largimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie teknike.
“Nuk ishte protestë partiake, ishte revoltë popullore. Ishte zëri i një populli që nuk pranon më të jetojë nën frikë, dhunë dhe varfëri. Narkoshteti u drodh sepse qytetarët nuk u thyen”, u shpreh Blushi.
Ai përfundoi duke theksuar se opozita do të vazhdojë betejën në krah të qytetarëve, deri në rikthimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe dinjitetit njerëzor.
