Kryeministri Rama vizitë zyrtare në Izrael, fjalim historik në Knesset dhe takim me Netanyahun

Data

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare pune në Jeruzalem më datat 25–27 janar, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. Vizita konsiderohet me rëndësi të veçantë diplomatike, pasi përfshin takime të nivelit të lartë dhe një fjalim në Parlamentin e Izraelit.

Kryeministri Rama shoqërohet nga një delegacion zyrtar shqiptar, si dhe nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Ditën e hënë, më 26 janar, Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga një takim mes dy delegacioneve zyrtare. Në përfundim të takimeve pritet edhe një deklaratë për shtyp. Paralelisht, Linda Rama do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare të Izraelit, në shoqërinë e bashkëshortes së Presidentit izraelit.

Në orët e pasdites, Kryeministri Rama do të mbërrijë në ambientet e Knessetit, ku do të pritet me ceremoni shtetërore nga Kryetari i Parlamentit izraelit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe të viktimave të terrorit.

Më pas, Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve dhe do të zhvillojë një takim zyrtar me Kryetarin e Knessetit. Kulmi i vizitës do të jetë seanca plenare speciale e Parlamentit izraelit, gjatë së cilës Kryeministri shqiptar do të mbajë një fjalim përpara deputetëve. Ky fjalim zhvillohet sipas një protokolli të posaçëm, i rezervuar vetëm për një numër të kufizuar udhëheqësish të huaj.

Në të njëjtën seancë do të mbajnë fjalë edhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe lideri i opozitës, Yair Lapid. Më pas do të organizohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm.

Më 27 janar, Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalim në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog. Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri do të kryejë edhe vizita simbolike në Murin e Lotëve dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.

Vizita e Kryeministrit Rama në Izrael shihet si një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe dhe në profilin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related