Detaje tronditëse dalin në dritë nga hetimet e Policisë Greke për shpërthimin e fuqishëm që tronditi diskotekën “Jacky O.” në zonën Ilisia të Athinës, më 7 tetor 2025. Pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë dokumentojnë momentin kur autori, me kapuç dhe maskë, mban në dorë një qese letre që përmbante mjetin shpërthyes dhe i afrohet lokalit para se ta aktivizojë bombën.
Autorët: dy vëllezër shqiptarë
Për ngjarjen janë arrestuar dy vëllezër shqiptarë, të njohur për autoritetet greke për precedentë penalë të mëparshëm:
- Blerim Buci, 41 vjeç
- Besmir Buci, 32 vjeç
Të dy janë me origjinë nga Tirana dhe u arrestuan më 22 janar në zonën Keratsini, pas një operacioni të koordinuar të Policisë Helenike.
Si u krye atentati
Sipas hetimeve:
- 32-vjeçari ka zbritur nga automjeti, i maskuar, duke mbajtur në njërën dorë telefonin celular dhe në tjetrën qesen me eksplozivin.
- Ai e vendosi dhe e aktivizoi pajisjen shpërthyese të improvizuar (IED) jashtë lokalit.
- Më pas u largua me shpejtësi duke hipur në automjetin ku e priste vëllai i tij 41-vjeçar, me të cilin u arratis nga vendngjarja.
Momentet e vendosjes së bombës dhe të shpërthimit janë kapur nga kamera sigurie të bizneseve përreth dhe tashmë janë pjesë e dosjes hetimore.
Motivi: gjobëvënie dhe shantazh
Sipas Policisë Greke, shpërthimi ishte një akt hakmarrjeje kriminale, pasi pronari i lokalit kishte refuzuar t’i nënshtrohej gjobävënies së ushtruar nga grupi kriminal i dy vëllezërve shqiptarë. Qëllimi ishte frikësimi dhe nënshtrimi përmes dhunës.
E dyshuar edhe një grua greke
Në dosje përfshihet edhe një grua greke 44-vjeçare, e dyshuar për:
- bashkëpunim në shpërthim,
- sigurimin e automjetit të përdorur për arratisjen e autorëve.
Çfarë u sekuestrua
Gjatë kontrolleve policore u gjetën dhe u sekuestruan:
- 8 telefona celularë
- një thikë palosëse
- një pajisje telekomandimi me ekran
- veshjet e përdorura gjatë aktit kriminal
- fletore shënimesh
- automjeti i përdorur për atentatin
Gjatë arrestimit, 41-vjeçari tentoi të fshihej në një zonë të pabanuar dhe rezistoi dhunshëm ndaj policisë, por u neutralizua.
Akuzat e rënda
Ndaj të arrestuarve rëndojnë akuza për:
- organizatë kriminale
- shpërthim me eksploziv
- prodhim dhe posedim eksplozivësh
- dëmtim prone
- dhunë ndaj forcave të rendit
- shkelje të ligjeve për armët dhe emigracionin
Të dy rezultojnë me një histori të gjatë kriminale, përfshirë grabitje, falsifikime, mashtrime dhe vepra të tjera të rënda.
