Media franceze Courrier des Balkans i ka kushtuar një intervistë kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ku ai shpalos qëndrimet e opozitës shqiptare pas protestës kombëtare dhe krizës politike në vend.
Berisha deklaron se opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe formimin e një qeverie teknike që të garantojë zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një regjim autokratik ku zgjedhjet janë shndërruar në farsë, ndërsa pushteti mbahet përmes kontrollit të mediave, kapjes së institucioneve dhe përdorimit të parave të drogës. Në këto kushte, Berisha thekson se presioni qytetar dhe protestat paqësore janë e vetmja rrugë për ndryshim.
Ai nënvizon se emigrimi masiv është pasojë direkte e qeverisjes aktuale, duke përmendur se mbi një milion shqiptarë janë larguar nga vendi gjatë dekadës së fundit. Sipas tij, të rinjtë nuk shohin më të ardhme në Shqipëri.
Në intervistë, Berisha ndalet edhe te çështja Balluku, duke e cilësuar atë kyçe për zbardhjen e aferave të qeverisë. Ai shprehet se çdo hetim real ndaj saj çon drejtpërdrejt te përgjegjësia e kryeministrit.
Kreu i PD kritikon gjithashtu qëndrimin e Bashkimit Europian dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke thënë se toleranca ndaj qeverisë Rama po dëmton rëndë demokracinë në Shqipëri. Ai bën thirrje për më shumë presion ndërkombëtar dhe hetime reale mbi korrupsionin dhe lidhjet me krimin e organizuar.
Në fund, Berisha thekson se opozita nuk kërkon dhunë apo destabilizim, por një lëvizje demokratike, paqësore dhe të vazhdueshme, që do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe rikthimit të demokracisë në vend.
