Një detaj shqetësues është konstatuar gjatë protestës së opozitës të zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë. Gazetari Renaldo Salianji ka raportuar nga vendngjarja se gazi lotsjellës i përdorur nga forcat e policisë ndaj protestuesve rezulton të ketë qenë i skaduar prej më shumë se dy vitesh.
Sipas pamjeve dhe të dhënave të evidentuara, në disa prej kapsollave të hedhura shënohej qartë data e skadencës, e cila kishte përfunduar prej kohësh. Ende nuk dihet se çfarë pasojash mund të ketë përdorimi i gazit të skaduar në shëndetin e qytetarëve, gazetarëve dhe efektivëve që ndodheshin në zonë.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi protokollet e sigurisë dhe kontrollin e mjeteve të përdorura gjatë ndërhyrjeve policore, ndërsa deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet për këtë rast.
