Autoritetet amerikane kanë arrestuar një nga personat më të kërkuar dhe më të rrezikshëm në botë, Ryan Wedding, ish-kampion olimpik, i dyshuar si një nga bosët më të mëdhenj të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Wedding u kap në Meksikë, ku jetonte i fshehur prej kohësh, dhe u transferua nën masa të rrepta sigurie drejt Kalifornisë. Sipas hetimeve, ai akuzohet se drejtonte një rrjet të fuqishëm kriminal të trafikut të drogës dhe se ka urdhëruar dhjetëra vrasje në vende të ndryshme të botës.
Arrestimi i tij erdhi pas një operacioni të përbashkët mes autoriteteve amerikane, meksikane dhe kanadeze, pas një kërkimi ndërkombëtar që zgjati për vite me radhë. Drejtori i FBI-së e ka cilësuar Wedding si “Pablo Escobar i kohëve moderne”, duke nënvizuar rrezikshmërinë dhe shtrirjen globale të aktivitetit të tij kriminal.
Autoritetet kanadeze kanë deklaruar se kapja e Wedding përbën një goditje të rëndë ndaj krimit të organizuar dhe rrit ndjeshëm sigurinë e komuniteteve. Ryan Wedding do të qëndrojë në paraburgim dhe pritet të dalë përpara një gjykate federale në Kaliforni në ditët në vijim, ku do të përballet me akuzat e rënda që rëndojnë ndaj tij.
