Mesazh i prerë nga Londra dhe Berlini: Mbështetje totale për SPAK-un dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit

Data

Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania i kanë dërguar një sinjal të fortë politik dhe diplomatik kundërshtarëve të reformës në drejtësi në Shqipëri, duke shprehur hapur mbështetjen e tyre për Prokurorinë e Posaçme dhe duke kërkuar vijimin pa hezitim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe çështjet që prekin emra të nivelit të lartë.

Ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Abbott, zhvilloi një takim me drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, ku u diskutua puna e deritanishme e SPAK-ut dhe mbështetja e mëtejshme e Mbretërisë së Bashkuar. Palët riafirmuan partneritetin e fortë mes dy vendeve, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke theksuar se drejtësia duhet të veprojë pa ndikime politike dhe pa dallime.

Në të njëjtën linjë u pozicionua edhe Berlini zyrtar. Ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Gunther Krichbaum, gjatë vizitës së tij në Tiranë, zhvilloi takime me përfaqësues të qeverisë, opozitës dhe drejtësisë, ku në fokus ishte procesi i integrimit europian dhe forcimi i shtetit të së drejtës. Ai theksoi se Gjermania dëshiron ta shohë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Evropian, por kjo kërkon vijimin me vendosmëri të reformave dhe një luftë të palëkundur ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas mesazhit të përcjellë nga Berlini, Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar, ku nuk ka më hapësirë për hapa pas. Reforma në drejtësi duhet të thellohet dhe institucionet e reja, përfshirë SPAK-un, duhet të mbështeten që të çojnë përpara hetime të pavarura dhe të guximshme, pavarësisht statusit apo ndikimit politik të personave të përfshirë.

Qëndrimet e Londrës dhe Berlinit përforcojnë presionin ndërkombëtar për zbatimin real të reformës në drejtësi dhe dërgojnë një mesazh të qartë se mbështetja për SPAK-un është e plotë, ndërsa pritshmëritë për rezultate konkrete, përfshirë arrestime të profilit të lartë, janë më të forta se kurrë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related