Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se eksportet shqiptare kanë shënuar rritje të qëndrueshme gjatë vitit 2025, duke reflektuar forcimin e strukturës ekonomike dhe orientimin drejt sektorëve me vlerë të shtuar. Gjatë konferencës mujore me median, ajo theksoi se ekonomia po tregon qëndrueshmëri dhe kapacitet më të lartë konkurrues në tregjet ndërkombëtare.
Sipas të dhënave zyrtare, eksportet totale janë rritur me 6,26% gjatë 9-mujorit të parë të vitit 2025. Rritja është mbështetur kryesisht nga eksportet e shërbimeve, të cilat përbëjnë rreth 85% të totalit dhe kanë shënuar rritje mbi 10.5%. Turizmi mbetet komponenti kryesor, me mbi 12 milionë turistë të huaj që vizituan Shqipërinë gjatë vitit të kaluar.
Ministrja sqaroi se eksportet e mallrave, të cilat përbëjnë rreth 15% të totalit, kanë pasur rënie në vlerë për shkak të luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por jo për shkak të rënies së prodhimit. Në terma vëllimi, industria dhe prodhimi vendas kanë shfaqur rritje. Sektori “ushqim, pije dhe duhan” është rritur me 5% në vlerë dhe 7% në vëllim, duke konfirmuar zhvillim pozitiv të bujqësisë dhe agropërpunimit.
Eksportet e energjisë elektrike janë rritur me 6.8% për 12 muajt e vitit, ndërsa sektori fason ka shënuar një rënie të lehtë prej rreth 1%, e cila sipas ministres lidhet me nevojën për modernizim dhe kalim drejt prodhimit me cikël të mbyllur.
Në këtë kuadër, Ibrahimaj bëri të ditur se qeveria ka miratuar Strategjinë për Zhvillimin e Eksporteve 2025–2030, e ndërtuar mbi katër shtylla kryesore: promovimin e eksporteve, thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave tregtare, harmonizimin me standardet e Bashkimit Europian dhe forcimin e mbështetjes financiare për kompanitë eksportuese.
Ministrja theksoi se synimi është që eksportet të mbeten një motor i qëndrueshëm i rritjes ekonomike, të rritet prania e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe bizneset të përgatiten për integrimin e plotë në tregun europian. Ajo shtoi se edhe tregues të tjerë, si rritja ekonomike, punësimi, inflacioni dhe stabiliteti fiskal, konfirmojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
