Nis DIVA 2025: Ja sa para marrin prindërit për fëmijë, kush përfiton dhe kush jo

Data

Ka nisur zyrtarisht dorëzimi i Deklaratës Individuale të të Ardhurave Personale (DIVA) për vitin 2025, e cila duhet të plotësohet deri më 31 mars 2026 nga të gjithë individët që gjatë vitit të kaluar kanë pasur pagë bruto 100 mijë lekë në muaj ose 1.2 milionë lekë në vit. Detyrimi vlen gjithashtu për të dypunësuarit dhe për personat që kanë gjeneruar të ardhura nga platformat online.

Mosdorëzimi i deklaratës shoqërohet me gjobë 3 mijë lekë, si dhe interesa dhe kamatëvonesa. DIVA gjenerohet e paraplotësuar në sistemin elektronik dhe kërkon vetëm konfirmimin e të dhënave dhe deklarimin e fëmijëve nën 18 vjeç për rillogaritjen e tatimit.

Risia kryesore këtë vit është njohja e shpenzimit prej 48 mijë lekësh në vit për çdo fëmijë nën 18 vjeç, e cila zbatohet si zbritje nga baza e tatueshme dhe jo si shumë e drejtpërdrejtë që merret në dorë. Për këtë arsye, kompensimi real që përfitojnë prindërit është më i ulët sesa shuma e shpallur.

Sipas skemës së rillogaritjes, prindërit që kanë pagë mujore bruto nga 50 mijë deri në 200 mijë lekë dhe tatohen me 13%, përfitojnë 6.240 lekë kompensim për çdo fëmijë. Nëse kanë dy fëmijë, kompensimi shkon në 12.480 lekë, ndërsa për tre fëmijë në 18.720 lekë.

Ndërkohë, prindërit me pagë mujore bruto mbi 200 mijë lekë, të cilët tatohen me 23%, përfitojnë kompensim më të lartë: rreth 11 mijë lekë për çdo fëmijë, që mund të arrijë deri në 33.1 mijë lekë për tre fëmijë. Në asnjë rast kompensimi nuk arrin shumën prej 48 mijë lekësh në dorë.

Nga kjo skemë përjashtohen personat që kanë qenë me pagë minimale gjatë vitit, pasi nuk kanë paguar tatim dhe për pasojë nuk kanë çfarë të rillogaritet. Përfitimi i zbritjes bëhet vetëm nga prindi me pagën më të lartë.

Pas dorëzimit të DIVA-s, prindërit duhet të paraqesin kërkesë për rimbursim, duke bashkëngjitur të dhënat e llogarisë bankare, certifikatën familjare dhe faturat tatimore për shpenzimet arsimore, nëse kërkojnë edhe këtë zbritje shtesë.

Autoritetet sqarojnë se keqkuptimi më i madh lidhet me idenë se prindërit do të përfitojnë 48 mijë lekë ose 480 euro për fëmijë, gjë që nuk është e vërtetë. Përfitimi real varion nga 6.240 lekë deri në 11 mijë lekë për fëmijë, në varësi të nivelit të pagës dhe tatimit të paguar gjatë vitit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related