Alarm nga virozat, mjeku: Mos vononi shkuarjen në spital kur shfaqen shenja të rënda

Data

Ndryshimet e shpeshta të temperaturave gjatë muajit janar kanë sjellë një rritje të ndjeshme të rasteve me viroza stinore në qarkun e Dibrës. Mjekët raportojnë fluks të lartë pacientësh në urgjencë, kryesisht fëmijë dhe të moshuar.

Sipas mjekut pediatër në Spitalin Rajonal Dibër, Filip Cfarku, vetëm në 24 orë paraqiten rreth 120 persona me simptoma viroze. Prej tyre, rreth 50 raste janë fëmijë që drejtohen në urgjencën e pediatrisë, ndërsa 70 të rritur kërkojnë ndihmë në urgjencën për të rriturit. Ky numër, sipas mjekut, është dukshëm më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara.

Mjeku paralajmëron se prindërit shpesh gabojnë në dy drejtime: ose paraqiten menjëherë në spital sapo shfaqen shenjat e para të virozës, ose e mbajnë fëmijën për shumë kohë në shtëpi me temperaturë të lartë, pa ndihmë mjekësore.

Ai thekson se hapi i parë duhet të jetë gjithmonë konsultimi me mjekun e familjes, i cili vlerëson gjendjen dhe vendos nëse është e nevojshme referimi tek mjeku specialist apo paraqitja në spital. Sipas tij, paraqitja e menjëhershme në spital është e domosdoshme vetëm kur shfaqen shenja të rënda si temperaturë e lartë e vazhdueshme, vështirësi në frymëmarrje, përgjumje e theksuar apo përkeqësim i shpejtë i gjendjes.

Pavarësisht fluksit të madh në urgjencë, mjekët bëjnë me dije se deri tani nuk ka mbingarkesë me pacientë të shtruar në pavionin e pediatrisë. Sipas specialistëve, pritet që kurba e virozave të nisë rënien gjatë muajit shkurt

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related