Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar udhëzimin e ri që përcakton rregullat për zbatimin e sistemeve inteligjente të transportit në të gjithë rrjetin rrugor të vendit, duke hapur rrugën për monitorim të vazhdueshëm të trafikut dhe informim në kohë reale për qytetarët.
Dokumenti parashikon krijimin dhe funksionimin e shërbimeve moderne të menaxhimit të trafikut, përfshirë informacionin në kohë reale për qarkullimin rrugor, udhëtimet multimodale, sistemet e paralajmërimit të hershëm për aksidente apo bllokime, si dhe shërbimin eCall, që mundëson thirrjen automatike të emergjencës nga automjetet në rast aksidenti. Po ashtu, parashikohen edhe shërbime për parkime të sigurta për automjetet tregtare.
Të gjitha të dhënat mbi rrugët dhe trafikun do të jenë të aksesueshme për publikun dhe operatorët përmes Pikës Kombëtare të Aksesit, e cila do të administrohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Institucionet publike dhe operatorët privatë do të kenë detyrimin të përditësojnë dhe të ndajnë të dhënat mbi qarkullimin, incidentet rrugore dhe infrastrukturën, sipas standardeve të përcaktuara.
Udhëzimi vendos theks të veçantë edhe te mbrojtja e të dhënave personale. Informacionet e mbledhura nga kamerat dhe sistemet inteligjente do të duhet të jenë të anonimizuara ose të pseudonimizuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi për privatësinë.
Miratimi i këtij udhëzimi synon afrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian në menaxhimin modern të trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore. Aktualisht, sipas raportit vjetor të Komunitetit të Transportit, vendi ka arritur një nivel zbatimi prej 44% në fushën e sistemeve inteligjente të transportit.
Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut është tashmë e ndërtuar dhe e pajisur, ndërsa vijojnë punimet për instalimin e kamerave dhe sistemeve inteligjente përgjatë rreth 200 kilometrave të rrjetit rrugor kryesor, duke e çuar drejt një faze të re kontrollin dhe menaxhimin e trafikut në vend.
