Një 33-vjeçar shqiptar është dënuar me 10 vite burg pasi u shpall fajtor për trafikim të emigrantëve nga Belgjika drejt Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër të një rrjeti kriminal të organizuar.
I dënuari, Ibrahim Sollaku, pranoi gjatë procesit gjyqësor se kishte organizuar transportimin e emigrantëve shqiptarë në mënyrë të paligjshme drejt Anglisë, si edhe se ishte i përfshirë në veprimtari të trafikut të lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve, në nëntor të vitit 2025 Sollaku bashkëpunoi me persona të tjerë për të transportuar pesë emigrantë shqiptarë nga Belgjika drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ai kishte organizuar zinxhirin e lëvizjes, duke përdorur shoferë taksie për t’i çuar emigrantët drejt porteve belge, ku ata do të fshiheshin në kamionë për të kaluar Kanalin e La Manshës.
Plani u ndërpre më 5 nëntor, kur policia belge arrestoi shoferin e taksisë dhe pesë emigrantët shqiptarë në qytetin e Bryzhit. Në të njëjtën ditë, Sollaku u arrestua në Mbretërinë e Bashkuar nga Njësia Rajonale e Krimeve të Organizuar.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet zbuluan 105 gram kokainë të mbështjellë në plastmasë, si dhe 36 gram të tjera të ndara në 94 tuba plastikë. Po ashtu, u sekuestruan shënime dhe shuma parash që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.
Gjykata e cilësoi Sollakun si organizator kyç të rrjetit dhe theksoi rrezikshmërinë e lartë të veprimtarisë së tij, duke dhënë dënimin maksimal prej 10 vitesh burg.
