Policia e Vaut të Dejës ka arrestuar një 70-vjeçar në fshatin Kosmaç, pasi gjatë një kontrolli në lokalin e tij u gjetën 1 678 fara të dyshuara kanabisi.
Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Seeds”, i zhvilluar pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit të shtetasit me inicialet Xh. M., shërbimet e policisë konstatuan farat e lëndës narkotike, të cilat ishin fshehur dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
I dyshuari u arrestua në flagrancë dhe materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia thekson se operacioni është pjesë e planit të masave për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, ndërsa kontrollet dhe hetimet do të vijojnë.
