Qeveria: Balluku ka imunitet deputeti dhe s’mund të pezullohet – SPAK: Rikthimi i saj dëmtoi hetimet

Data

Gjykata Kushtetuese zhvilloi një seancë gati katërorëshe për ankimin e kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të GJKKO-së që pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Pas dëgjimit të palëve, Gjykata u tërhoq për vendim, i cili sipas ligjit duhet të shpallet brenda 30 ditëve.

Seanca u zhvillua pa praninë e Ballukut, pasi ajo nuk është palë në këtë proces. Përballë SPAK-ut u rreshtuan tre institucionet më të larta të shtetit: Qeveria, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës, të cilët mbajtën të njëjtin qëndrim – se Balluku gëzon imunitetin e deputetit dhe nuk mund të pezullohet nga detyra pa autorizimin e Kuvendit.

Qeveria kërkoi nga Kushtetuesja të zgjidhë atë që e cilëson si konflikt kompetencash mes Gjykatës së Posaçme dhe Këshillit të Ministrave. Sipas saj, vetëm Kryeministri ka të drejtën ekskluzive për të emëruar dhe shkarkuar ministra, ndaj pezullimi nga gjykata përbën ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv. Përfaqësuesja e qeverisë argumentoi se pezullimi i ministres ka bllokuar vendimmarrjen në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, duke theksuar se pas rikthimit në detyrë Balluku ka firmosur rreth 50 akte zyrtare.

Edhe Kuvendi dhe Presidenti mbështetën këtë linjë, duke theksuar se Kushtetuta i njeh ministrit imunitetin e deputetit dhe se çdo masë ndaj tij kërkon miratim parlamentar.

Nga ana tjetër, SPAK e hodhi poshtë kategorikisht pretendimin për konflikt kompetencash. Prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko deklaruan se pezullimi nga detyra është masë personale, kompetencë ekskluzive e gjykatës, dhe nuk cenon as kompetencat e Kryeministrit, as funksionimin e Këshillit të Ministrave.

SPAK theksoi se rikthimi i Ballukut në detyrë ka krijuar rrezik real për hetimin penal. Sipas prokurorisë, duke qenë në krye të një ministrie me buxhet dhe ndikim të madh, ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe i “helmimit të provave”, pasi dokumentet dhe nëpunësit janë nën varësinë e saj. Prokurorët argumentuan se kjo ishte arsyeja kryesore pse u kërkua dhe u vendos masa e pezullimit.

SPAK sqaroi gjithashtu se Kushtetuesja nuk është rruga e duhur për të kundërshtuar një masë sigurie, pasi Balluku mund të ankohej fillimisht në Apelin e GJKKO-së dhe më pas në Gjykatën e Lartë. Sipas prokurorisë, vendimi i GJKKO-së nuk cenon imunitetin e saj si deputete, por lidhet vetëm me ushtrimin e funksionit ekzekutiv.

Gjykata Kushtetuese u tërhoq për vendim, i cili pritet të shpallet brenda afatit ligjor 30-ditor. Vendimmarrja vjen në një moment kritik, pasi SPAK i ka kërkuar Kuvendit autorizim për arrestimin e Ballukut, ndërsa Këshilli i Mandateve pritet të mblidhet më 28 janar.

Belinda Balluku është e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me projektin e Tunelit të Llogarasë me vlerë 190 milionë euro, është nën hetim për lotët e Unazës së Madhe dhe po verifikohen edhe procedura të tjera tenderimi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related