Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka zhvilluar një takim me qytetarët në njësinë 10 në Tiranë, ku ka dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre dhe ka bërë thirrje për mobilizim masiv në protestën e paralajmëruar të opozitës më 24 janar, në orën 17:00.
Balliu u shpreh se skandalet e fundit që lidhen me zv/kryeministren Belinda Balluku dhe AKSHI-n tregojnë se qeveria aktuale është shndërruar në rrezik për sigurinë kombëtare, ekonominë dhe të ardhmen e të rinjve shqiptarë. Sipas tij, situata kërkon veprim të menjëhershëm dhe reagim të fortë qytetar.
Deputeti demokrat theksoi se opozita nuk do të ndalet me një protestë simbolike, por synon përshkallëzimin e aksionit politik deri në krijimin e një qeverie teknike, si e vetmja zgjidhje për të garantuar zgjedhje të lira dhe ndarjen e pushtetit nga korrupsioni.
“Ora për të reaguar ka ardhur. Qytetarët duhet të dalin në shesh dhe të kërkojnë ndryshim real,” u shpreh Balliu, duke e cilësuar protestën e 24 janarit si një moment vendimtar për zhvillimet politike në vend.
