Ka përfunduar seanca në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme. Seanca u zhvillua pas ankimimit të Kryeministrisë, e cila pretendon se pezullimi cenon kompetencat e kryeministrit dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Gjatë shqyrtimit, përfaqësuesit e qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës paraqitën qëndrimet e tyre, ndërsa prokurorët e SPAK mbrojtën ligjshmërinë e masës, duke theksuar rrezikshmërinë e vijimit të detyrës dhe ekzistencën e provave për vepra të rënda penale.
Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me procedura me vlerë qindra milionë euro, ndërsa ndaj saj mbetet në fuqi ndalimi i daljes jashtë vendit. Ajo është rikthyer përkohësisht në detyrë në pritje të vendimit përfundimtar të Kushtetueses, i cili pritet të përcaktojë nëse pezullimi nga detyra do të qëndrojë apo do të rrëzohet.
