Paraditen e sotme, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka zhvilluar një protestë përpara Gjykatës Kushtetuese, pak para nisjes së seancës që shqyrton çështjen e pezullimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Shehaj u shpreh se sytë e qytetarëve shqiptarë janë drejtuar nga drejtësia dhe se Gjykata Kushtetuese duhet të mbajë një qëndrim të pavarur, larg ndikimit politik. Ai theksoi se institucioni më i lartë kushtetues nuk duhet të vihet në shërbim të kryeministrit Edi Rama apo të interesave të qeverisë.
“Presim që Gjykata Kushtetuese të jetë me qytetarët dhe me drejtësinë, jo me të korruptuarit. Kjo protestë ka pikërisht këtë simbolikë. Gjykata është përdorur më parë nga Edi Rama dhe nuk duhet të përdoret sërish për të mbrojtur pushtetin,” deklaroi Shehaj.
Ai e cilësoi të papranueshme kërkesën e kryeministrit drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të ndërhyrë në pezullimin e një zëvendëskryeministreje, duke e quajtur këtë një tentativë për të mbrojtur korrupsionin dhe abuzimin me fondet publike.
Protesta e Shehajt vjen në një moment kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese konsiderohet vendimtar jo vetëm për fatin e Belinda Ballukut, por edhe për besimin e qytetarëve te drejtësia dhe ndarjen reale të pushteteve në vend.
