Seanca për Ballukun në Kushtetuese, GJKKO tërhiqet: Nuk legjitimohemi si palë në konfliktin institucional

Data

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka bërë të ditur zyrtarisht se nuk do të marrë pjesë në seancën plenare publike që zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me çështjen e pezullimit nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Seanca në Gjykatën Kushtetuese ka si objekt shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Kryeministri Edi Rama për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së, pas vendimit të kësaj të fundit për pezullimin e Ballukut nga ushtrimi i funksionit qeveritar.

Në njoftimin e saj zyrtar, GJKKO sqaron se ka vendosur të mos legjitimohet si palë në këtë proces kushtetues, duke argumentuar se përfshirja e një gjykate si subjekt në një gjykim kushtetues do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Sipas qëndrimit të gjykatës, në një shtet demokratik të së drejtës, një gjykatë nuk mund të thirret për të mbrojtur apo justifikuar një vendim të dhënë prej saj përballë një pushteti tjetër.

GJKKO bën me dije se këtë qëndrim ia ka përcjellë zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese që në fund të dhjetorit 2025, përmes një shkrese ku janë renditur arsyet ligjore pse nuk mund të konsiderohet subjekt i interesuar në këtë gjykim.

Seanca e sotme pritet të zhvillohet mes një vëmendjeje të lartë politike dhe institucionale, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të përcaktojë jo vetëm fatin politik të zv.kryeministres Belinda Balluku, por edhe kufijtë e kompetencave mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.

Kujtojmë se GJKKO kishte vendosur më herët pezullimin e Ballukut nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, në lidhje me disa procedura me vlerë qindra miliona euro. Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese pritet të krijojë një precedent të rëndësishëm për raportet mes institucioneve në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related